Home / ARSIMI / Ademi: Po ndërmarrim reforma thelbësore në arsim

Ademi: Po ndërmarrim reforma thelbësore në arsim

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi, në një konferencë të përbashkët për media me zëdhënësin e qeverisë, Muhamet Hoxha, njoftuan për vendimet e marra nga mbledhja e 143-të e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi Hoxha njoftoi se qeveria ka miratuar dy propozim ligje në sferën e arsimit, për të cilat në detaje foli ministri Ademi. Ai tha se me dy propozim ligjet, për arsim fillor dhe për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës po ndërmerr reforma thelbësore në arsim.

Ai sqaroi se propozim ligji për arsim fillor, fokusohet në plotësimin e nevojave të nxënësve me nevoja të posaçme, organizimi i nxënësve, eliminimi i ndikimeve politike dhe partiake në shkollat fillore.

“Për mua, një nga çështjet më të rëndësishme është avancimi i procesit të inkluzionit të të gjithë nxënësve me nevoja të posaçme dhe me aftësi të kufizuara. Ligji parashikon përfshirjen e plotë të të gjithë nxënësve me nevoja të posaçme në shkollat e rregullta. Kështu që shkollat e posaçme dhe paralelet e posaçme do të transformohen. Shkollat e posaçme në qendra burimore, ndërsa paralelet e posaçme në qendra për mbështetje”, tha Ademi, duke shtuar se ato do të shërbejnë vetëm si mbështetje për shkollat e rregullta dhe se nuk do të mund të regjistrojnë nxënës nga viti 2022-2023.

Ademi gjithashtu tha se me propozim ligjin e miratuar nga qeveria, numri i nxënësve në klasa do të zvogëlohet në 20 deri në 30 nxënës, nga 24 deri në 34 sa ka qenë deri më tani. Ai po ashtu tha se do të ndryshohet përbërja dhe kompetencat e këshillit të shkollës, i cili do të vendosë për drejtorin e shkollës, vendim të cilin e kanë patjetër ta zbatojnë kryetarët e komunave apo ministri i Arsimit. Me këtë, sipas Ademit, eliminohet mundësia për ndërhyrje partiake, pasi gjashtë nga gjithsej shtatë anëtarët e këshillit do të përbëhen nga mësimdhënësit dhe prindërit.

Duke folur për ligjin për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë, ministri Ademi tha se ai do të sigurojë motivim më të madh për arritje të rezultateve më të mira. Ai tha se është e vërtetë se mësimdhënësit “nga dita e parë e punës deri në pensionimin e tyre” fare nuk janë avancuar.

“Prandaj, me këtë propozim ligj kemi paraparë zgjidhje konkrete sa i përket zhvillimit profesional, zhvillimit në karrierë, duke paraparë shkallë konkrete për avancim në karrierë në përputhje me rezultatet e tyre, në përputhje me përvojën e tyre, në përputhje me të arriturat e mësimdhënësve”, tha Ademi, duke shtuar se ky avancim do të ketë edhe implikime financiare.

Ademi tha se do të ketë takime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me qëllim që ligji të miratohet para fillimit të vitit të ri shkollor, respektivisht para një shtatorit.

Përpos kësaj, zëdhënësi Hoxha njoftoi se në mbledhjen e qeverisë mes tjerash është diskutuar edhe për mbledhjen e parë të komisionit ndër-qeveritar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që bazohet në Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes dy vendeve, ku ministrat kanë pranuar sugjerimet për festime të përbashkëta që ndërlidhen me historinë dhe personalitetet e përbashkëta.

 

About Derveni Info

Check Also

Vritet presidenti vetëshpallur i “Republikës së Çamërisë”

Vritet në një atentat presidenti i “Republikës së Çamërisë”, Festim Lato. Vrasja e Festim Latos …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *