Këto dy vija të plota në bulevardin Gjorçe Petrov, po i paguajnë shtrenjtë banorët e Sarajit.
Në mungesë të një rrethrrotullimi banorët duhet të bëjnë dy kilometra rrugë shtesë për të shkuar nga Saraji në Kondovë dhe fshatrat tjerë.
Me vendosjen e semaforëve para disa vjetëve, në këtë rrugë u vendosën edhe dy vija të plota me cka u mbyll hyrja nga Saraji për në Kondovë.
Banorët detyrohen të shkojnë deri në fillim të komunës së Gjorçes për tu kthyer në Kondovë.
Por shpesh herë makinat kalojnë përmes këtyre vizave, andaj banorët po ankohen se po ndodhin shumë aksidente. Aty vazhdimisht është edhe policia kontrolluese e cila po dënon qytetarët për shkelje të rregullave të komunikacionit.
“Çdo ditë këtu bëhet ndeshje, mandej ka dënime.
Askush nuk merr masa këtu, këtu kalon Kondova, Rashqja, Sfillarja, Sfillarja e epërme, Radusha, 4 km shkojnë deri atje poshtë, kjo është katastrofë”, tha një banor.
“Dënime ka plot, kur i kujtohet policisë ndalen atje edhe dënojnë”, u shpreh një banor tjetër.
Kryetari i komunës së Sarajit qysh në vitin 2018 tha se po punohet për një zgjidhje për këtë rrugë.
“Ajo ishte pjesë e programit tim ishte pjesë e programit edhe kryetarit të qytetit të Shkupit z.Shilegov dhe jemi në komunikim permanent unë kryetari i Gjroçe Petrovit dhe kryetarit të Qytetit të Shkupit, gjithësi që punohet dhe së shpejti do të ketë zgjidhje edhe kjo”, deklaroi Blerim Bexheti – kryetar i Komunës së Sarajit.
Sot nga komuna e Sarajt në formë të shkruar thanë se komuna disa herë ka dërguar kërkesa deri tek Qyteti i Shkupit, por nga atje u kanë thënë se rruga nuk i plotëson kushtet për rreth rrotullim.
“Duke pasur parasysh se kjo rrugë është shumë e frekuentuar dhe shpesh herr ndodhin aksidentet për shkak të mungesës së një rrethrotullimi, Komuna e Sarajit disa herë ka drejtuar kërkesa deri te Qyteti i Shkupit për mënjanimin e këtij problemi të kamotshëm që përballen qytetarët e komunës së Sarajit. Po nga ky institucion përgjigja është se kjo rrugë nuk i plotëson kushtet ligjore për ndërtimin e rreth rrotullimit ose mënjanimin e vijave të plota”, thonë nga Komuna e Sarajit.
Kontaktuam me Qytetin e Shkupit, nga atje thonë se nuk është paraparë që në atë vend të ketë rrethrrotullim.
Muajin që kaloi në komunën e Sarajit ka pasur 377 dënime, ku një pjesë e vogël kanë qenë për shkak të mbajtjes së maskës, drejtim të makinës pa patentë shoferi, ndërsa pjesa tjetër nuk theksohet nga MPB se për çfarë janë dënuar./TV21