Home / ARSIMI / Lashtësia shqiptare në shkencën gjermane

Lashtësia shqiptare në shkencën gjermane

Libri Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, të botuar më 1990 në Tiranë, është plot me të dhëna interesante lidhur me prejardhjen, autoktoninë dhe jetën tonë kulturore e materiale, të shkruara nga dhjetë studiues gjatë tre shekujve të fundit. Në studimet në fjalë vendin qendror e zë prejardhja e shqiptarëve dhe e gjuhës shqipe.

Kështu, filozofi dhe albanologu Gotfrid Vilhelm Lajbnici (1646-17160, i njohur me tri letrat shqiptare, pasi fillimisht dyshon se shqiptarët dhe gjuha e tyre kanë ndonjëfarë lidhje me ilirët dhe ilirishten, shton kërkimet dhe leximet e literatutës shtesë dhe vin në përfundimin se ne jemi pasardhës të ilirëve, kurse shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë.

Për filozofin Johan Gotfrid fon Herderin(1744-1803) shqiptarët kanë dalë nga ilirët dhe janë popull autokton. Sipas tij: nga ilirët, trakët dhe maqedonasit e lashtë kanë dalë shqiptarët, vllehët dhe arnautët…

Sado që Herderi nuk e mbështet konstatimin e tij me ndonjë argument të fortë, thënia e tij konsiderohet me rëndësi historike.

Për pedagogun dhe historianin e parë serioz që është preokupuar me prejardhjen tonë – Johan Erih Tunmanin(1746-1778), nuk kishte dyshim se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. Konstatimi i tij pasoi pas studimeve të thelluara të të dhënave të autorëve të lashtësisë greko-romake dhe të burimeve mesjetare. Tunmani thotë se: gjuha shqipe ka dhënë dëshmi të atilla, sa unë e kam të pamundur të mos njoh te shqiptarët fqinjët e lashtë të grëkëve dhe qytetarët e Romës së lashtë. Për të dyja këto më tregojnë ilirët e lashtë, që janë po aq pak sllavë sa edhe finët…

Në veprën Rreth shqipes në lidhjet e saj të prejardhjes, profesor Franc Bopi (1791-1867) shkruan se shqipja është gjuhë indoevropiane, pa ndonjë lidhje me gjuhët tjera të kësaj familjeje, si greqishtja e latinishtja.

Studiuesi Jozef Riter fon Ksilander(1794-1854), në veprën Gjuha e albanezëve ose shqiptarëve, e forcon konstatimin e Franc Bopit mbi shqipen si degë shumë të vjetër dhe të  veçantë të indoevropianishtes. Ai nuk e përjashton ndikimin që kanë gjuhët fqinje mbi njëra-tjetrën, por nuk ka dyshim se: gjuha shqipe në vetvete është një gjuhë që në pjesën kryesore të fjalëve dhe në pjesën karakteristike të gramatikës gjen një bazë të saj të gjerë – të paktën mbetjen e gjuhës së një populli të lashtë…

Albanologu i shquar Johan Georg fon Han (1811-1869), që pati rastin të vizitojë Shqipërinë, në disa vepra të rëndësishme shkencore shpërfaqi pikëpamjet mbi botën shqiptare, prejardhjen tonë prej ilirëve dhe gjuhës shqipe nga ilirishtja. Ai hodhi dhe idenë mbi prejardhjen e përbashkët tireno-pellazgjike të ilirëve, epirotëve dhe maqedonëve të lashtë, që përbënin një degë të rëndësishme, krahas grekëve dhe romakëve antikë… Lidhur me autoktoninë e shqiptarëve studiuesi i shquar pohon: Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, qysh në kohën e romakëve e të helenëve gjendeshin në trojet e tyre të sotme dhe zakonet që i kishin të përbashkëta me popujt fqinjë të tyre, i kanë ruajtur deri në ditët tona shumë më të pastra e më besnike sesa popujt fqinj…

Në veprën Elementi shqiptar në Greqi,bizantinisti Jakob Filip Falmerajeri (1790-1860) hedh dritë mbi prejardhjen dhe autoktoninë e shqiptarëve, që vin nga antikiteti. Ja disa pikëpamje të tij:

– Populli shqiptar që jeton në siujdhesës ilirike flet një gjuhë që s’ka fare ngjashmëri me greqishten, turqishten dhe sllavishten.

– Në bibliotekën e Akademisë së Aleksandrisë (sh. II të e.s.) përmendet ekzistenca e qytetit Albanopolis të një populli në brezin kufitar të Epirit dhe Ilirisë.

– Megjithatë, shqiptarët kanë hyrë në histori aktivisht si nënshtetas të Bizantit (sh. XI), për t’u dalluar më pas si të pavarur e ngadhnënjyes në betejat me otomanët.

– Një pjesë e popullatës në Greqi janë shqiptarë, arnautë ose arvanitë, që ende sot flasin shqip.

– Shqiptarët përkrahin kudo paqen. Ata janë artizanë, lundërtarë, ndërtues dhe ushtarë të shkathtë, të patrembur, të matur e rezistentë…

Edhe për historianin Teodor Mommsenin (1817-1903) nuk vihet farë në dyshim prejardhja ilire e shqiptarëve. Për të: Popullsia fillestare ilire ka për pasardhës të fundit shqiptarët e sotëm.

Mommseni flet për kufijtë e Ilirisë së lashtë, për luftërat dhe lidhjet e ilirëve me popujt fqinj…

Mbështetur në të dhënat gjuhësore, profesori i Universitetit të Marburgut Paul Kreçmerin (1866-1959) konstaton se: në trojet greke lulëzoi një kulturë mesdhetare qysh para ardhjes së grekëve.

Në studimin e tij për ilirët, gjithnjë sipas të dhënave gjuhësore, ai vërtetoi identitetin e ilirishtes dhe autoktoninë tonë në trojet ku jetojmë edhe aktualisht.

Historiani Hansjorg Frommeri (1939) është preokupuar gjithashtu me të shkuarën dhe të tashmen e shqiptarëve. Ai është autori i librit Ilirët, në të cilin flet për invazionin e egër sllav në Ballkan dhe pasojat e atij invazioni për popujt e lashtë të këtyre territoreve, veçmas për ilirët. Sipas tij, për shkak të dhunës së egër sllave, nga fundi i sh. VI dhe fillimi i sh. VII, sigurisht ka ndodhur një shpërngulje e madhe e ilirëve nga Dalmacia në Shqipërinë e sotme. Për Frommerin shqiptarët janë ilirë, kurse gjuha e tyre buron nga ilirishtja…

Studiuesi dhe specialisti i numismatikës së lashtë Peter Robert Franke (1926) autoktoninë shqiptare dhe prejardhjen e tyre ilire e mbështet në monedhat, mbishkrimet, stelat e varreve, armët, shtatoret dhe eksponatet e tjera arkeologjike të gjetura prej kohësh në qytetet e lashta si Durrësi.

Të dhënat e mësipërme flasin për kontributin e madh të shkencës gjermane për të vërtetën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në një kohë kur mungonin dijetarët, historianët dhe albanologët shqiptarë. Natyrisht se ato të dhëna sot janë pasuruar nga studimet e reja të studiuesve shqiptarë dhe të huaj, por nuk do të ishte keq që shtëpitë e mëdha botuese të ribotojnë herë pas here veprat e rëndësishme si Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane, sepse për to kanë nevojë studentët dhe studiuesit e brezit të ri.

/Portalb.mk

 

About Derveni Info

Check Also

Ora e parë akademike për studentët e rinj

Në fakultetet pranë universiteteve të vendit sot solemnisht do të shënohet fillimi i vitit të …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *