More

    Pandemia ndryshon mënyrën e të ushqyerit

    Paraqitja e koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19, ka ndryshuar edhe mënyrën e të ushqyerit të njerëzve.

    Shpallja e koronavirusit si pandemi, ka çuar në shpalljen edhe të gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut dhe rrjedhimisht kufizimin e lëvizjes, por edhe të karantinës shtetërore.

    Të përballur me rrethana të reja, kategoritë e njerëzve që kanë bërë jetë dinamike e cila ka imponuar ushqime të shpejt dhe jo të shëndetshme, tani dy muaj kanë aplikuar një regjim krejt të ndryshëm ushqimor, duke e përgatitur në shtëpi. Kjo, sipas ekspertëve, shihet si shumë pozitive pasi njerëzit duhet të kenë kujdes jo vetëm nga koronavirusi, por edhe nga ushqimet që mund të jenë shkaktarë të sëmundjeve tjera.

    “Mendoj se njerëzit janë vetëdijesuar se duhet të jemi në gjendje gatishmërie gjatë tërë kohës që të luftojmë sëmundjet e ndryshme, jo vetëm në këtë rast të pandemisë, por për sëmundje tjera që janë të lidhura ngushtë me ushqimin. Ne e dimë se ushqimi kohëve të fundit është bërë edhe arsyeja kryesore e paraqitjes së një numri shumë të madh të sëmundjeve. Të ushqyerit e shëndetshëm në vazhdimësi, mendoj këtu për të gjitha moshat, në njëfarë mënyre edhe e përgatit trupin tonë, e bën një luftëtar të madh ndaj të gjitha rreziqeve të jashtme”, thotë për Evropën e Lirë, Valbona Kadriu, dietologe.

    Ajo thotë se paraqitja e koronavirusit dhe qëndrimi në shtëpi ka rritur interesin e njerëzve për ushqimin e shëndetshëm, që nuk merr shumë kohë për t’u përgatitur dhe njëkohësisht është shumë i leverdishëm në aspektin financiar.

    “Njerëzit e kanë kuptuar se të ushqehesh shëndetshëm nuk merr shumë kohë dhe nuk kushton shumë, ashtu siç kanë menduar njerëzit më herët. Pra, me një çmim mesatar të volitshëm dhe me një kohë po aq sa merr edhe për një ushqim jo të shëndetshëm, ne mund të përgatisim një sallatë shumë të mirë ose ndonjë supë. Do të thotë, koha e lirë u ka dhënë atyre mundësi të përgatisin ushqime të shëndetshme dhe mendoj se tani më shumë ushqehen shëndetshëm se më parë”, thotë dietologia Valbona Kadriu.

    Edhe mjeku Aleksandar Mitev, thotë se shifrat janë pozitive sa i përket ushqimit të popullatës pasi sipas tij heqja dorë nga ushqimet e shpejta, nënkupton shëndet më të mirë për njerëzit.

    “Përgatitja e ushqimit në kushte shtëpiake ofron mundësi që të përgatitet më mirë dhe më shëndetshëm. Kjo krizë pati edhe një anë të mirë, pasi njerëzit hoqën nga ushqimet e shpejta, ndoshta jo me dëshirën e tyre, por kjo u imponua nga paraqitja e virusit. Por, ana negative është mungesa e aktiviteteve fizike. Kemi një kombinim mes ushqimit shtëpiak që është diçka e mirë dhe mungesës së aktiviteteve fizike që ka çuar në rritjen e peshës trupore të njerëzve”, thotë Mitev, duke theksuar nevojën që njerëzit duhet të ketë shumë kujdes, në rast se sërish vijmë në situatë të izolimit pasi paralajmërohet valë te re e koronavirusit.

    “Për fat të mirë tani nëpër rrjete të ndryshme sociale apo në platforma interneti, ekzistojnë specialistë të ndryshëm të fushës së sportit që ofrojnë shërbime për ushtrime fizike, madje ato janë pa pagesë. Këto janë shumë të rëndësishme në rastet kur ka ndalesë të lëvizjes jashtë shtëpive. Ato duhet të shfrytëzohet që të ketë një baraspeshë mes ushqimit dhe aktiviteteve fizike, pasi mund të na paraqiten probleme shëndetësore”, shprehet mjeku Aleksandar Mitev.

    Për shkak të koronavirusit pothuajse të gjitha dyqanet e ushqimeve të shpejta janë mbyllur dhe kjo ka bërë që të mos ketë as porosi përmes internetit. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 120 mijë persona në Maqedoninë e Veriut vuajnë nga sëmundja e diabetit, që thuhet se shkaktohet kryesisht nga mungesa e aktiviteteve fizike dhe mënyra jo e mirë e ushqimit. (rel)

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    Të fundit

    Sot u bë varimi i Naser Krosit, nipi i Mulla Xhemshid Krosit

    Sot pas namazit të drekës me dhimbje dhe pikëllim e përcollëm për në banesën e fundit Naser Krosin, nipin...

    Gjashtë të vdekur dhe 101 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

    Gjatë 24 orëve të fundit Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri bëri me dije se janë konfirmuar 101 raste të...

    Buçkovski paralajmëron: Zaevi do ta prishë koalicionin ASh/AAA

    Ish Kryeministri Buçkovski në një intervistë për "VEÇER" ka paralajmëruar se kryetari i LSDM-së Zoran Zaev do ta prishë...

    Tre viktima dhe 74 raste të reja me Covid-19, shërohen 90 pacientë

    Tre viktima, 90 të shëruar dhe 74 raste të reja është bilanci i sotëm për Covid-19. Brenda 24 orëve...