Home / LAJME / Shqipëria, një nga vendet më mikpritëse për turistët

Shqipëria, një nga vendet më mikpritëse për turistët

Shqipëria nuk është më pak e pëlqyer nga kërkuesit e destinacioneve pak të kushtueshme dhe larg zonave të populluara

Ky vend në Ballkan, që ka hapur krahët për turistët, ofron një përzierje joshëse të arkitekturave, të mjediseve mesdhetare dhe orientale, shkruan në një reportazh që u kushtohet bukurive të Shqipërisë gazetarja e njohur për çështjet e turizmit, Paula Boyer, në faqen belge www.la-croix.com.

”I vendosur mbi një grumbull shkëmbor, qyteti i Beratit rrethohet nga kodra të mbuluara me ullinj. Gurët e parë të këtij xhevahiri të Shqipërisë u vendosën para 2 500 vjetëve. Më pas, bizantinët përforcuan fortesat e tij. Ato ishin dëmtuar në vitin 1281, gjatë rrethimit, që dështoi, nga Karli I i Anzhuinëve, në atë kohë mbret i Sicilisë.

Porta e madhe me hark në anën veriore të nxjerr në një zonë jashtë kohës, të qetë dhe romantike, me grumbullin e saj të rrugicave me gurë të rrëshqitshëm. Në krahë të dyqaneve artizanale, jo gjithnjë lokale, gjyshet shesin trikotazh dhe dantella. Ka shumë kisha bizantine, me pamje të thjeshtë, që mbajnë afreske me një vlerë të paçmueshme, transmeton ATSH.

Mjafton të hapësh vetëm një derë për të zbuluar afresket, pak të dëmtuara, të kishës së Shën Kollit. Muzeu madhështor kombëtar i ikonave është pranë katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”, përcjell albinfo.ch.

Pak më tutje, ndodhen rrënojat e dy xhamive. “Të gjitha influencat që kanë gdhendur Shqipërinë gjenden këtu”, thotë Luftari, guida jonë. Pamja mbi luginë është mbresëlënëse.

Qyteti i dritareve një mbi një

Gjithnjë, lumi Osum ka ndarë Beratin më dysh. Në bregun e majtë, Gorica, lagjja e krishterë, në të djathtën, Mangalemi, lagjja myslimane. Që të dyja kanë rrugica të pjerrëta, tarraca të mbuluara me tjegulla të mëdha dhe shtëpi të bardha prej guri dhe dritare të mëdha prej druri të panumërta. Kjo veçori ka bërë që Berati, pjesë e UNESCO, të marrë pseudonimin “qyteti i një mbi një dritareve”.

Dikur, Berati ka qenë i famshëm për pazarin e tij të madh ku të krishterët dhe myslimanët tregtonin krahë më krahë. Krijuam një ide të kësaj falë fotove të vendosura në muzeun etnografik. Ai gjendet në Goricë, në një shtëpi tradicionale me dy kate ku, në shekullin XVIII, jetonin tre breza të të njëjtës familje.

Të vizitosh këtë shtëpi të mbushur me objekte dhe kostume të vjetra në shoqërinë e Gladiolës llafazane dhe të qeshur, është sikur bën një udhëtim emocionues në kohë. Në bodrum vendoseshin drithërat, vaji i ullirit dhe rakia, “që burrat e pinin, çdo ditë, pas kafes”. Në katet e sipërme, kuzhina dhe dhomat, të gjitha të pajisura me një oxhak të bardhë në formë koni. Megjithatë, meqenëse rrallë herë ka ngricë dhe bie dëborë në Berat, jeta e familjes zhvillohej kryesisht në “çardak”, një dhomë e madhe e hapur nën çati.

Det dhe mbetje antike

Ky qytet piktoresk josh turistët të cilëve Shqipëria u hap krahët. Gati 20 vjet pas rënies së diktaturës së tmerrshme komuniste të instaluar në vitin 1945 nga Enver Hoxha, ky vend kandidat në Bashkimin Evropian është ende duke rimarrë veten. Sigurisht që këtu ka një demokraci parlamentare, por ka shumë vështirësi, krizë të re politike, korrupsion, trafik, krim i organizuar dhe shpesh herë një nivel jetese të mjerët, që vazhdojnë t’i bëjnë njerëzit të kërkojnë të largohen nga vendi. “Në këtë vend nuk prodhojmë më asgjë”, thotë me keqardhje Luftari, guida jonë, sepse shumë komplekse industriale, të vjetruara janë mbyllur.

Megjithatë, ku vend i gjelbër, por shumë malor, ka bërë përparime të konsiderueshme në shumë pak vite. Është modernizuar dhe ka ndërtuar rrugë dhe hotele. Këto përpjekje duhet të vazhdohen për të arritur standardet ndërkombëtare, përfshirë Durrësin, qyteti i dytë më i madh në vend, ku ka hotele që kanë pesë yje para plazheve jo shumë të pastra. Deti dhe mbetjet atike, kryesisht amfiteatri në të cilin të krishterët kanë ngritur, më vonë, kisha të vogla, tërheq turmat.

Minare, kupola dhe kambana

Shqipëria nuk është më pak e pëlqyer nga kërkuesit e destinacioneve pak të kushtueshme dhe larg zonave të populluara. Ajo është e mbushur me thesare të padiskutueshme. E mbetur në anën e Perandorisë Romake të Orientit gjatë ndarjes së Perandorisë Romake, ajo u gjend më pas në zemër të konflikteve mes bizantinëve, anzhuinëve, normanëve, bullgarëve dhe venedikasve para se të pushtoheshin në fund të shekullit XV nga otomanët. Të gjithë kanë lënë gjurmë, pavarësisht konvertimit masiv në mysliman (70% e popullsisë aktuale) në shekullin XVI.

Sot, në Berat ashtu si në Durrës apo Tiranë, kryeqyteti, minaret bashkëjetojnë në paqe me kishat e shumta bizantine, me kupola ortodokse, me kambanat katolike dhe teqetë bektashiane, një drejtim fetar shumë liberal dhe tolerant i frymëzuar nga islami shiit, qendra botërore e të cilit ndodhet në Tiranë.

Nga Kruja në Tiranë

Në fund të komunizmit, rregullat antike dhe të ashpra të Kanunit filluan të përcaktojnë sërish, kryesisht në veri të vendit, jetën e familjeve dhe shoqërisë. “Këto rregulla këtu vlejnë më shumë se sa ligjet tona”, shprehet me keqardhje Luftari, guida jonë, ndërkohë që mbërrijmë në Krujë. Shtëpitë këtu ngrihen në krahë të një qafe shumë të pjerrët, por pritja është shumë e ngrohtë. Në rrugët e shtruara, dyqanet, ngjitur me njëra-tjetrën, propozojnë punime artizanale lokale dhe tapete me ngjyra. Restorantet shërbejnë gatime tradicionale të shijshme dhe qengj të pjekur.

Kruja është qyteti ku ka lindur Skënderbeu, i quajtur Gjergj Kastrioti, heroi kombëtar. “Në shekullin XV, ai bashkoi princat shqiptarë dhe arriti të largojë osmanët”, thekson Luftari. Muzeu i ngritur në vitin 1982 brenda kështjellës flet për lavdinë e tij, ndërsa statujat me kalë zbukurojnë sheshet e qyteteve, duke filluar nga Tirana.

 

 

 

About Derveni Info

Check Also

Maqedonia si Zvicrra: “Blicat” do të fotografojnë, dënimet do të vinë në shtëpi me postë!

Ministria e punëve të brendshme është duke përgatitur ndryshime ligjore me qëllim që të vendoset …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *