More

    Vedat Muriqi mbërrin në Itali, gati të nisë përvojën e re me Lazion

    Vedat Muriqi ka mbërritur të dielën në Romë, ku pritet të prezantohet si lojtari më i ri i projektit të Igli Tares me Lazion, skuadër që këtë sezon pret të luajë edhe në Champions League.

    Klubi i kaltër ka fiksuar të hënën vizitat mjekësore përpara se shtatlarti të firmosë zyrtarisht një kontratë 5-vjeçare që do ta shpërblejë me 2 milionë euro në sezon.

    Ardhja e Muriqit ishte parashikuar për më herët, por për shkaqe burokratike u shty deri më sot. Shtatlarti nga Prizereni udhëtoi nga Stambolli, ku aktivizohej deri para pak ditësh me skuadrën e Fenerbahces, për në Itali, atje ku shumë tifozë e prisnin me padurim.

    I ashtuquajturi “Pirati” pritet të përmbushë kalimin prej 18 milionë eurosh nga skuadra turke te ajo italiane.

    Rrugëtimi i Muriqit nis te Liria e Prizrenit, për të kaluar më pas në Superligën shqiptare me skuadrat e Teutës dhe Besës e më tej në kategorinë e dytë turke me skuadra si Giresunspor, Genclerbirligi e më tej te përvoja e Rizerspor për të ardhur më pas te ai kalim në cilësi i vitit të shkuar.

    Fenerbahce e angazhoi për 3.5 milionë euro dhe tashmë e transferon për 18 milionë, – pa klauzolat shtesë, –  duke përfituar më shumë se 5-fishin e vlerës.

    I lartë 194 centimetra loja agresiviteti dhe qëndrueshmëria fizike kanë qenë cilësitë që e kanë dalluar më tepër në rreth 200 ndeshje të zhvilluara në futbollin turk, në të cilat ka mundur të realizojë mbi 65 gola.

    Te Lazio Muriqi do të ketë konkurrencë të fortë me Ciro Immobilen, golashënuesin e sezonit të shkuar, megjithatë ajo që e lehtëson është fakti se 30-vjeçari italian njihet për altruizëm dhe shpesh herë është dhe asistues.

    Në fakt në radhët e Lazios sezonin e shkuar Immobile dha 9 asiste, 6 më pak se kryeshërbyesi, Luis Alberti (15 asiste).

    Njëzetegjashtëvjeçari, i cili 7 vite më parë luante me kombëtaren shpresa të Shqipërisë, ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën me të cilën ka realizuar deri më sot 8 gola, pjesa më e madhe e të cilave në sezonin e shkuar të kualifikueseve për në Evropian dhe në Ligën e Kombeve ku Kosova shkëlqeu si një nga skuadrat surprizë.

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    Të fundit

    BDI përshëndet paketën prej 470 milion €

    Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet masat ekonomike prej 470 milion euro për ekonominë vendore dhe qytetarët për të lehtësuar...

    Sot fillon viti i ri shkollor, 40 mijë nxënës s’kanë pajisje për mësim online

    Në Maqedoninë e Veriut sot fillon viti i ri shkollor 2020/21, me një muaj vonesë për shkak të gjendjes...

    Aksident në Hasanbeg, vdes sharraxhiu

    Një motoçikletë dhe makinë për prerjen e drunjve janë aksidentuar këtë mbrëmje në Hasanbeg të Shkupit, afër shkollës fillore,...

    Besmir Ismani nga Kondova pjesë e Akademisë së Futbollit pranë FFM-së

    Besmir Ismani nga Shkolla e Futbollit Saraj pranohet në Akademinë e Futbollit pranë FFM-së. Pas një gare tejet të...