Home / LAJME / Xhaferi në Srebrenicë: Pikëllimi dhe dhimbja ndjehet në çdo frymëmarrje

Xhaferi në Srebrenicë: Pikëllimi dhe dhimbja ndjehet në çdo frymëmarrje

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në komemoracionin e sotëm në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës tha se të qenurit këtu sot në këtë vend të trishtuar, i cili bën jehonë me heshtjen më të zëshme se brohoritja më e madhe, është ndjenjë e dhimbshme, raporton Anadolu Agency (AA).

“Pikëllimi dhe dhimbja ndjehet në çdo frymëmarrje që merret, në çdo hap që bëhet në këtë truall. Megjithatë, duhet qenë i fortë dhe të bëhet hapi i dinjitetshëm, t’u jepet nder viktimave të të afërmve dhe atyre që nuk i njohim, të zbuluarve dhe ende të pazbuluarve, të tregojmë në vepër se jemi të vetëdijshëm për tragjedinë e madhe njerëzore, të tregojmë se kemi përgjegjësi, respekt moral dhe njerëzor, të inkurajohemi dhe të angazhohemi se asnjëherë nuk harrohet, që asnjëherë të mos përsëritet”, theksoi Xhaferi.

Ai shtoi se të gjithë që jetojnë në këtë zonë, për fat të keq, jetojnë të shënuar me nocionin se Ballkani është fuçi baruti, një tenxhere që vazhdimisht zien.

“Për fat të keq, historia e ka konfirmuar këtë nga konfliktet e tmerrshme të luftës që kanë mbajtur vëmendjen e opinionit dhe janë përqendruar te ne. Shumë gjak është derdhur, shumë lotë janë derdhur, shumë jetë të humbura të pakthyeshme, rini, gëzim, lumturi familjare dhe dashuri të përjetuar. Ndërsa aq shumë kemi mundur të bëjmë. Aq mirë e njohim njëri-tjetrin. Jemi të njohur për mikpritjen, marrëdhënie të ngrohtë dhe të dashur, madje edhe të pazakontë për disa pjesë tjera të planetit Tokë. Ne dimë se si të gëzohemi dhe të brengosemi së bashku, sepse para së gjithash jemi njerëz, fqinjë, miq, familjarë”, tha Xhaferi duke shtuar:

“Kam shpresë dhe jam optimist se rajoni po ndryshon në të mirë, se gjërat po shihen përmes një prizmi më të ndryshëm. Gjeneratat e reja të politikanëve kanë mendje të hapur dhe botëkuptim të qartë, flasin për një botë pa kufij, mundësi të shumta për studime, punë dhe zhvillim të të rinjve, me krahë më të gjerë”.

Xhaferi në fund dërgoi mesazh dhe apel deri tek të gjithë që në mënyrë aktive janë të përfshirë në marrjen e vendimeve që të përkushtohen në misionin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, sundimin e ligjit, ndërtimin e shoqërive demokratike, respektimin e atyre më ndryshe dhe më të dobëtve.

Pas komemoracionit në Qendrën memoriale në Potoçari sot u fal namazi i xhenazes dhe janë varrosur 33 mbetje mortore të viktimave të gjenocidit në të cilin u vranë të paktën 8.372 civilë boshnjakë.

Srebrenica u rrethua nga forcat serbe që po përpiqeshin të zhvatnin territore nga muslimanët dhe kroatët boshnjakë për të formuar shtetin e tyre.

Mbi 8 mijë muslimanë burra dhe djem boshnjakë u vranë pasi në korrik të vitit 1995 forcat serbe në Bosnjë sulmuan Srebrenicën, e shpallur nga OKB-ja si “zonë e sigurtë”, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të zbatuar paqen.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shpallur Srebrenicën “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, zona e OKB-së u pushtua nga trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, që më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

 

About Derveni Info

Check Also

Vritet presidenti vetëshpallur i “Republikës së Çamërisë”

Vritet në një atentat presidenti i “Republikës së Çamërisë”, Festim Lato. Vrasja e Festim Latos …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *