Home / BIZNESI / Zhvillimi i turizmit rural, Shqipëria si model

Zhvillimi i turizmit rural, Shqipëria si model

Ekspertët tek ne thonë se mbetet të shikohet edhe interesimi i fermerëve apo investitorëve tek ne për realizimin e këtij lloj agrobiznesi që ndërlidhet me gastronominë dhe turizmin rural


Maqedonia e Veriut ia vlen të analizojë si dhe të realizojë në praktikë idenë e fshatrave turistik apo zonave turistike në Shqipëri, ku pritet që të investohen 2 miliardë lekë, apo afërsisht 30 milionë dollarë. Kjo shumë pritet të investohet nga ana e Qeverisë shqiptare për programin ‘100 fshatrat për Rilindjen Urbane’, në periudhën 2020-2022, shkruan gazeta KOHA.

Ekspertët e agronomisë dhe njohësit e zhvillimit rural në Maqedoninë e Veriut vlerësojnë se kjo është një ide e qëlluar që ia vlen të shqyrtohet hollë e hollë dhe pse jo edhe të gjejë edhe realizimin e saj në tetë rajonet planifikuese të Maqedonisë ku ka mundësi dhe hapësirë për diçka të tillë. “Edhe ne si shtet nevojitet të realizojmë parapërgatitje serioze dhe të detektojmë apo gjejmë fshatrat që kanë mundësi dhe potencial për diçka të tillë. Mirëpo një nisme të tillë duhet ti paraprijnë edhe analiza serioze, se sa do të kushtojë kjo në kushtet tona, sa mjete do të investojmë dhe sa do të kthehen pas disa vitesh, sa punësime do të realizohen , cili do të jetë ndikim ndaj zhvillimi lokal të një zone të caktuar e kështu me radhë”, thotë eksperti Lulzim Fejzullahu.
Sipas tij, një ide e tillë mund të përfshihet edhe në Ligjin për zhvillim rural, mirëpo mbetet të shikohen edhe interesimi i fermerëve apo investitorëve tek ne për realizimin e këtij lloj agrobiznesi që ndërlidhet me edhe gastronominë, turizmin rural e kështu me radhë. “Duhet pasur kujdes që kjo ide të mos mbështetet për shembull vetëm në hapjen e një vikend shtëpize, por nevojitet që i tërë projekti të jetë fitimprurës dhe i qëndrueshëm në vitet e ardhshme ku duhet pranuar se edhe investitorët në Shqipërinë fqinje janë më kreativ dhe më të guximshëm në krijimin e një oferte tërheqëse për turistët potencial”, shton më tej Fejzullahu.
Nga ana tjetër, 2.5 milionë euro ishte mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, në vitin 2018 për programin e “100 fshatrave”. Programi i fokusuar tek turizmi dhe agrobiznesi ka financuar rehabilitimin e plotë infrastrukturor, kulturor dhe historik të disa fshatrave anembanë vendit. Sipas projektuesve të këtij projekti, që vjen sipas modelit të Rilindjes Urbane, këto fshatra janë zgjedhur mbi bazën e potencialit të tyre turistik dhe pritet të shndërrohen në qendra të një lloj turizmi të ri, të panjohur deri më parë në Shqipëri, turizmi rural.
Në ndërkohë, bëhet fjalë për një projekt të integruar zhvillimi të qendrave të banuara, zonave me interes turistik, apo i zonave rurale në të cilat do të synohet përmirësimi i infrastrukturës, vlerësimi i traditave dhe trashëgimisë kulturore, rritja e nivelit të shërbimeve publike, përmirësimi estetik i qendrave të banuara që i jep mundësi zonave të caktuara rurale të kenë një trend pozitiv të zhvillimit ekonomik, duke krijuar njëherazi edhe premisat për zhvillimin e turizmit apo agro-turizmit. Monumentet e kulturës dhe investimi në turizmin kulturor janë një pjesë e rëndësishme e këtij programi, andaj Thethi është një fshat që është bërë pjesë e programit, fshat i cili është shpallur qendër historike. Një tjetër fshat që bën pjesë në program është edhe Kosina në Përmet.
Aktivitetet kryesore ekonomike në këtë fshat janë bujqësia, blegtoria, vreshtaria, tregtia dhe në kohët e fundit turizmi. Në shërbim të turizmit, janë gatimet tradicionale të zonës, degustimi, vrojtimi i shpendëve dhe zogjve, i kafshëve, praktikat tradicionale në bujqësi e blegtori, agropërpunimi, mbledhja e kërpudhave, bimëve medicinale dhe frutave të egra. Në zonë gjithashtu mund të ushtrohen veprimtari të tjera turistike, si ngjitje me mushka apo gomar, ngjitje në shkëmbinj, çiklizmi malor, skijimi, kajaket, rafting, vizitë në kanione etj. Në zonë mungojnë operatorët turistikë, por aty gjenden dy agjenci turistike që ndihmojnë për të siguruar guida lokale. Më 14 gusht, në Kosinë zhvillohet festa e lokale “Gatimet e Gjyshes”. Gjyshet në gatime shoqërohen nga disa vajza dhe djem të rinj, të cilët simbolizojnë njohjen dhe përcjelljen e traditës së gatesave tipike nga njëri brez tek tjetri. Në 25 maj, Bashkia Përmet organizon festën kulturore, “Ditët Naimjane”. Në datat 2-15 qershor, organizohet festivali multikulturor në Përmet. Në 25 mars, në Përmet zhvillohet festa e Sulltan Nevruzit. Zhvillohen “Ditët e Trashëgimisë Europiane”, (Panairi i Artizanit) për Qarkun e Gjirokastrës si dhe zhvillohet edhe “Polifonia Shqiptare në UNESKO”, për Qarkun e Gjirokastrës.

Ndryshe, vlerësohet se turizmi rural, i cili përfshin zonat malore, përbën 3 për qind të udhëtimeve ndërkombëtare, me një rritje vjetore prej 6 për qind. Përballja me infrastrukturën e pazhvilluar lokale dhe situatën e pafavorshme rreth këtyre zonave, bën që ky lloj turizmi në Shqipëri të zhvillohet ngadalë por me një trend në rritje. (koha.mk)

About Derveni Info

Check Also

Kroaci, ish-modelja e Playboy do të kandidojë për presidente

“Rinia po largohet, numri i lindjeve sa vjen e bie. Nuk mund të rri duarkryq …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *