More

    Herolind Nuredini talenti shqiptarë nga Tetova që po shkëlqen në Kart Racing

    Me shqiponjën dykrenare të stampuar në kokore, Herolind Nuredini, “fluturon” në pistat e Kart Racing, me ëndrrën e madhe që një ditë të garojë në Formulën 1. Është vetëm 14 vjeç dhe cilësohet si një ndër talentet më të mëdhenj në Gjermani. Ka lindur në Hamburg, por origjina e tij është nga qyteti i Tetovës, në Maqedoninë e Veriut.

    NUREDINI222

    Cilësohet si një sport i rrezikshëm, por për Herolindin makinat dhe shpejtësia janë pasioni i tij më i madh. Për këtë arsye, nisi edhe të ushtrohet që në moshën 7- vjeçare. Prej talentit dhe përkushtimit të madh, potenciali i tij ra në sy edhe të Ralf Schumacherit, vëllait të legjendës së “Kokëkuqes”.

    Historia e Herolindit të kujton edhe fillimet e idhullit të tij, Luis Hamilton. Ylli i Mercedesit e nisi karrierën e tij pikërisht në pistat e Kart Racing në moshën 8-vjeçare. Teknikët e kanë cilësuar Nuredinin si talentin e së ardhmes, i cili shumë shpejt do të jetë pjesë e Formulës 1.

    Keni lindur në Gjermani, por origjina juaj është shqiptare. E quani veten shqiptar apo gjerman?

    Unë e quaj veten shqiptar dhe krenar, sepse e dua shqiptarinë me gjithë zemër. Familja ime ma ka mësuar gjuhën dhe traditën shqiptare që kur kam lindur. Ajo që unë aspiroj është të përfaqësoj më së miri vendin tim. Ndërsa Gjermania më ka dhënë mundësi për të ndjekur sportin tim të preferuar.

    Kur dhe si ka qenë momenti i parë që keni hipur në një makinë garash? I mbani mend ato emocione dhe frikërat?

    Momenti i parë që kam hipur në një makinë garash ka qenë kur isha 7 vjeç. Ato emocione vazhdoj t’i mbaj mend edhe sot, madje dyshoj se do t’i harroj ndonjëherë. Ka qenë shumë e veçantë për mua, pasi shpejtësia dhe makinat më kanë mahnitur gjithmonë. Edhe prindërit më thonë se që kur kam qenë 1 vjeç, doja vetëm makina apo përqendrohesha në ekran ndërsa garonin.

    Herolind Nuredini

    Si është një ditë për Herolindin, regjimi që duhet të ndiqni?

    Në fillim ka qenë pak e vështirë, sepse kuptova që nuk është kaq e thjeshtë sa mund të duket. Nuk mjafton që të dish të ngasësh makinën dhe je gati. Absolutisht që jo, duhet të bësh ushtrime fizike, sidomos te krahët, shpatullat e qafa. Bëj shumë kujdes me ushqimet që ha, të jenë sa më të shëndetshme. Shoqëruar me sport dhe “mental training”, të cilat i bëj çdo ditë.

    Nuk jeni si shumë nga 14- vjeçarët e tjerë, jeta juaj është shumë intensive. Por, sa ngjasoni ju me bashkëmoshatarët tuaj?

    Unë studioj në një shkollë të vogël në Hamburg dhe duke qenë se kam shumë kohë që merrem me këtë sport, të gjithë më njohin. Ka shumë raste që edhe profesorët më referojnë si shembull, por mua nuk më pëlqen aspak kjo gjë.

    A mundeni të na rrëfeni një ngjarje të vështirë apo të sikletshme gjatë garimit dhe si keni arritur ta superoni?

    Ndërsa je duke garuar edhe sekonda që kalon ka shumë rëndësi, prandaj momente të vështira ka gjithmonë. Një prej tyre ka qenë një vit më parë në Portugali për WM, ku më kanë shtyrë jashtë në start dhe fatkeqësisht gara përfundoi për mua.

    Momenti juaj i preferuar?

    E gjithë gara mua më jep një ndjesi që nuk di si t’jua përshkruaj, por jam si në qiellin e shtatë. Ka jashtëzakonisht shumë adrenalinë dhe emocione, të cilat shtohen edhe më shumë nëse fiton. Një prej tyre ka qenë fitorja që kam pasur në “Evropa Meisterschaft” në Francë për kualifikueset.

    Sa shumë aspiron Herolindi, a është kjo pikënisja për të shkuar drejt F1?

    Patjetër, ky është edhe synimi im. Ndaj edhe kam nisur me karting, për të garuar me makinë të madhe ose drejt F1. Aspiroj të jem si Luis Hamilton, e ndjek shumë si shembull. Por, për të shkuar drejt F1 veç profesionalizmit që duhet të jetë shumë i lartë, duhet më tepër mbështetje financiare. Unë shpresoj shumë që të arrij të gjej sponsor për këtë gjë.

    Sa e vështirë është të ndjekësh këtë pasion nga ana monetare, duke pasur parasysh edhe lëvizjet e shumta në shtete të ndryshme?

    Është pak e vështirë, pasi ka shumë shpenzime. Momentalisht më mbështet vetëm familja ime dhe ata janë edhe suporti im më i madh. Janë forca që më motivojnë për të mos hequr dorë edhe kur gjërat janë vështirësuar.

    Cila është skuadra ku bëni pjesë dhe një këshillë nga ekspertë të fushës që ju ka mbetur në mendje?

    Unë jam pjesë e TB Racing Team dhe jam shumë i lumtur, pasi më ka dhënë shtysë të njihem me njerëz të mrekullueshëm. Një prej tyre ka qenë edhe Ralf Shumaker, i cili më ka bërë të besoj edhe më shumë të vetja. Kemi folur për disa orë dhe më ka dhënë shumë këshilla si të garoj e të arrij të jap maksimumin tim. Për mua çdo fjalë e tij ka qenë shumë e vlefshme.

    Urojmë që karriera juaj të jetë sa më e suksesshme. Nëse do të arrini majat, a do ta ngrini flamurin kuqezi në qiell?

    Unë e them gjithmonë me shumë krenari që jam shqiptar dhe flamuri im gjithmonë ai do të jetë.

    [adsforwp id=”30090″]

    Burger

    TË NGJAJSHMEARTIKUJ
    Rekomanduar për ju

    Të fundit

    Hoxha: Qeveria nuk heq dorë nga ekipi urgjent me helikopter për kërkim dhe shpëtim

    Pas përfundimit të pandemisë me KOVID – 19, Qeveria përsëri do të shpallë thirrje publike për krijimin e një...

    Herolind Nuredini talenti shqiptarë nga Tetova që po shkëlqen në Kart Racing

    Me shqiponjën dykrenare të stampuar në kokore, Herolind Nuredini, “fluturon” në pistat e Kart Racing, me ëndrrën e madhe...

    Arabia Saudite me vendime të reja, do të rritet numri i vizitorëve në Qabe

    Drejtoria e Përgjithshme e Punëve të Mesxhid al-Haram dhe Mesxhid-i Nebevi morën vendime të reja në lidhje me numrin...

    𝐔𝐍𝐓 𝐓𝐇𝐈𝐑𝐑𝐉𝐄 𝐏Ë𝐑 𝐏𝐔𝐍𝐈𝐌𝐄 𝐒𝐇𝐊𝐄𝐍𝐂𝐎𝐑𝐄

    Universiteti 'Nënë Tereza' në Shkup në bashkëpunim me Universitetin ‘Shën Klimenti i Ohrit’ në Manastir dhe Universitetin e Sassarit...